Enver Hadri ishte i UDB'së, e vranë kriminelët shqiptarë

Express sot sjell vazhdimin e dytë të intervistës me agjentin serb të UDB'së Bozidar Spasic, i cili thotë se Enver Hadri ishte vrarë nga "kriminelë shqiptarë" që kishin dalë nga burgjet gjermane. Ai thotë se urdhri për vrasjen e tij është dhënë në Kosovë dhe se dëshmitarët takimit ku është bërë kjo janë ende gjallë. Sipas tij, konstatimi se UDB nuk mund të gjente shqiptarë për të vrarë bashkëkombësit nuk është i saktë.

Gazeta Express, ka pyetur agjentin serb, nëse ai personalisht ka marrë pjesë në likuidimet e shqiptarëve, por Bozidar Spasic, ka thënë se ai vetëm u ka bërë presion emigrantëve shqiptarë, për t'i ndërprerë aktivitetet e tyre kundër shtetit jugosllav.

Për të përshkruar rolin e tij, ai përmend një libër.

"Në librin 'Bukla që flet', thuhet në mënyrë precize, se unë kam qenë inspektori kryesor për aksione psikologjike dhe antipropagandë. Detyra ime ka qenë që shqiptarëve, që e kanë tepruar me aksionet e tyre "politike", për të cilët po ashtu na kanë informuar shqiptarët, t'i komprometojë me anë të masave të ndryshme të presionit, telefonatave, dërgimit të letrave, duke i akuzuar se po i shpenzojnë paratë e emigracionit duke u zbavitur, në mënyrë që ata të merren me veten, "ka thënë Spasic.

Në përgjigjet që ia ka dërguar nëpërmjet postës elektronike Gazetës Express, Spasic, insiston se shqiptarët kanë qenë të involvuar në vrasjen e shqiptarëve.

Madje sipas tij, ata i kanë shërbyer me kënaqësi shërbimit të fshehtë jugosllav.

"Në disa komente të cilat i kanë sajuar disa të sëmurë paranojakë, veçmas në Kroaci, se serbët i kanë vrarë vetëm serbët, kroatët vetëm kroatët dhe se nuk është gjetur asnjë shqiptar që ka vrarë shqiptarë, më qeshet me këto konstatime dhe më duhet të bëjë një kundërpyetje. Vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla, dhe Kadri Zeka kanë qenë shqiptarë dhe ata kanë lëvizur në një rreth të ngushtë të bashkëkombësve të tyre shqiptarë. Si mendoni se kemi pasur shënimet për aktivitetet e tyre, takimet e fshehta, furnizimin me armë për aksionet. Nëpërmjet serbëve, kroatëve? Natyrisht se jo por nëpërmjet ndoshta rrjetit më të madh të bashkëpunëtorëve tanë shqiptare sikur në Europë ashtu edhe në Kosovë e Metohi" ka thënë Spasic.

"A do ta kishte takuar ndonjë Serb apo Kroat në Shtutgart Kadri Zekën" pyet ai? "Jo, por kjo është bërë nga shqiptari jonë i cili na ka informuar në mënyrë aktive dhe të rregullt për krejt atë që po ndodhë. Popullata shqiptare me kënaqësi ka bashkëpunuar me Shërbimin e Sigurimit Shtetëror, nganjëherë ka ndodhur që në mesin e 5 terroristëve t'i kemi dy njerëz tanë të infiltruar" ka thënë Spasic.

Spasic ka dhënë versionin e tij edhe për vrasjen e Enver Hadrit. Sipas tij, Hadri ka qenë spiun i shërbimit jugosllav.

"Kur bëhet fjalë për Enver Hadrin, i cili është vrarë në Bruksel është sekret publik se ai ka qenë agjent i policisë sekrete jugosllave. Në zyrën time kam pasur një dosje të trashë për të, në të cilën thuhet se si student ka ikur në Shqipëri dhe është kthyer, tanët e kanë kapur dhe kjo ka qenë një bazë për ta angazhuar si bashkëpunëtor. Ka qenë një bashkëpunëtor shumë i mirë" thotë Spasic.

"Pas shkuarjes në Belgjikë, nuk më kujtohet kur dhe si, por sigurisht sipas udhëzimeve tona, ai (Hadri) ka formuar një këshill për të drejtat e njeriut, por në të vërtetë ai ka marrë para nga punëtorët e përkohshëm dhe i ka shpenzuar për argëtim"

Spasic thotë se Hadri ka pasur grua dhe fëmijë dhe një dashnore tjetër haptazi, të cilën e ka sjellë edhe në shtëpi për ta poshtëruar gruan. "Ajo dashnore e tij ka punuar në një zyrë të NATO's në Bruksel dhe ai ka filluar të kontaktojë disa shërbime të huaja.Në dosjen e që e kam parë është edhe një biletë e avionit me të cilën ai ka udhëtuar në Moskë. Pyes pse ajo biletë aty. A ja kemi blerë ne që të takohemi me të në Moskë apo ai ka shkuar në takim me KGB'në ruse. Por me rëndësi është se bileta ka qenë aty, dikush na e ka dhënë atë, ndoshta pikërisht ai vet" ka thënë Spasic. Ish - agjenti serb thotë se raportet e Hadrit për Shërbimin e Sigurimit Shtetëror kanë qenë të detajuara dhe të zgjeruar dhe se ai ka ditur mirë se çfarë ndodhë në emigracion dhe ka qenë mjaftë i dobishëm për shërbimin jugosllav. Spasic më pas thotë se vrasjen e Hadrit e kanë bërë kriminelë shqiptarë që kishin dalë nga burgjet gjermane, pavarësisht se tashmë ekziston një version tjetër se vrasjen në Bruksel në vitin 1990 e kanë kryer tre serbë.

"Për vrasjen e tij ka disa versione, policia belge ka kryer hetime dhe sigurisht është duke hetuar, prokurorët po ashtu, por të gjithë janë në rrugë të gabuar. Urdhërdhënësi për likuidimin e tij është nga Kosova, ka dëshmitarë të atij takimi ku është kërkuar që ai të likuidohet . Atëherë ishte thënë se paraja nuk është problem e as njerëzit. Vrasësit kanë ardhur nga Peja, në fakt ata janë kriminelë shqiptarë që kanë dalë nga burgjet gjermane" ka thënë ai.

Vijon nesër: Cili është versioni i agjentit serb Spasic për vrasjen Vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës. Ku janë vrasësit dhe ku punojnë ata sipas Spasic?

GAZETA EKSPRES Priština - 30.01.2014.

© Božidar Spasić Dizajn Design by Eklipsa
Twitter RSS aktivnosti