Intervistë me ish Agjentin serb të UDB'së: SHIK i rekrutoi disa agjentë të ish-regjimit, A

Express sot sjell vazhdimin e katërt dhe të fundit të intervistës me agjentin serb të UDB'së Bozidar Spasic. Ai thotë se shërbimi sekret i asaj kohe nuk ka asnjë dokumentacion që tregon se kush i ka kryer vrasjet e shqiptarëve. Duke folur rreth kriminelit Arkan, Spasic thotë se ai vetëm është lavduar se ka kryer aksione. Sipas Spasic, një pjesë e agjentëve të ish -regjimit janë angazhuar në SHIK nga Xhavit Haliti.

Ish - agjenti serb Bozidar Spasic, në intervistën për Express, ka thënë se nuk ka asnjë dokument të Sigurimit Sekret të Jugosllavisë, që do të tregonte se kush i ka kryer vrasjet e shqiptarëve dhe aktivistëve tjerë që ky shërbim i konsideronte armiq të shtetit.

"Unë mendoj se dokumentacioni nuk ekziston. Shteti i ka pasur organet e veta siç është Këshilli për Mbrojtjen e Rendit Kushtetues dhe Sekretarin për Punë të Brendshme, të cilët kanë vendosur se në bazë të cilave informacione, cili terrorist meriton vëmendje të veçantë, por edhe se cilat masa duhet të ndërmerren që të eliminohet, nëse ky aktivitet kriminal nuk ka mundur të ndërpritet në ndonjë mënyrë tjetër" ka thënë Spasic.

Duke folur për kriminelin serb famëkeq Arkan, i cili është vrarë në vitin 2000 në Beograd e që përflitet shpesh si atentator i angazhuar nga shërbimi jugosllav për eliminimin e disidentëve të ndryshëm, Spasic thotë se Arkan më shumë është lëvduar për këtë punë.

"Kur bëhet fjalë për Arkanin mund të them se ai vetëm është lavdëruar se ka marrë pjesë në likuidimin e terroristëve nëpër Europë. Më 1986 ai ka shkaktuar një incident në Beograd, ka shtënë në policë dhe ka qenë në burg dhe me të janë ndërprerë kontaktet. Ai ka folur për ato aksione nëpër baret e natës në Beograd dhe nëpër kazino" ka thënë Spasic.

"Unë personalisht nuk e kam angazhuar kurrë atë në asnjë operacion kështu që nuk mund të flas. Kjo çështje është mjaft e konsumuar dhe gjithçka që flitet mund të jetë edhe spekulim edhe e vërtetë" thotë ai.

Spasic ka folur edhe për vrasjet e pasluftës të ish pjesëtarëve të sigurimit shtetëror, por nuk jep ndonjë detaj.

"Nuk janë likuiduar pas luftës vetëm bashkëpunëtorët e shërbimit sekret kur kanë ardhur autoritetet e reja, por edhe shumë agjentë dhe udhëheqës së të UDB'së nga koha e RSFJ'së" thotë ai.

Ai pohon se pas vitit 1999 në Kosovë një pjesë e agjentëve është larguar ndërsa një pjesë ka mbetur.

"Një agjent serb më ka treguar se i kanë gjuajtur edhe revolet zyrtare nëpër livadhe kur kanë ikur ndërsa më vonë në Beograd atyre u kanë kërkuar që të plotësojnë formularë për çështjen e armëve dhe kanë kërkuar nga ata që ti paguajnë" thotë ai.

Sipas tij, një pjesë e agjentëve që kanë mbetur janë inkuadruar në SHIK.

"Një pjesë e këtyre agjentëve ka mbetur brenda shërbimeve sekrete që i ka organizuar me gjasë Xhavit Haliti, emigrant nga Cyrihu i cili i ka mbajtur në shërbim disa prej agjentëve më të aftë në shërbimin e ri SHIK" thotë ai.

Por, Spasic është i interesuar shumë të flasë se si shqiptarët kanë pasur qejf të bashkëpunojnë shumë me shërbimin sekret. Madje sipas tij shqiptarët kanë bashkëpunuar edhe me shërbimin slloven dhe kroat të asaj kohe.

"Do të vijë në rend dite çështja e bashkëpunëtorëve të UDB në Kosovë dhe do të dalë se shqiptarët me kënaqësi kanë bashkëpunuar. Jemi takuar me ta në banesa zyrtare në Prishtinë ose ata do të vinin në Obiliq në ndonjë restorant ku nuk shkonin shqiptarët ose jemi takuar në Beograd. Edhe shërbimet tjera të ish RSFJ'së kanë bashkëpunuar me shqiptarët.

Shërbimi slloven i ka pasur bashkëpunëtorët më kualitativ derisa Kroacia është mbështetur shumë në popullatën e Janjevës"

Në fund të intervistës Spasic arsyeton të gjitha veprimet që ka ndërmarrë shërbimi i atëhershëm jugosllav, pasi sipas tij edhe "terroristët" kanë vrarë.

"Kanë vrarë fëmijët tanë, ambasadorë, kanë rrënuar hekurudha, kanë vrarë policë sigurisht se asnjë vend nuk do ti duronte" ka thënë ai.

GAZETA EKSPRES Priština - 30.01.2014.

© Božidar Spasić Dizajn Design by Eklipsa
Twitter RSS aktivnosti